Fitore 19 years old from peja update news every sunday
5.Sept 2010
ME TE REJAT NGA KOSOVA Ibrahim Kodra, maestro i pikturës Një nga piktorët më të famshëm të viteve të ’50-ta dhe ’60-ta, Ibrahim Kodra, i cili emrin shqiptar e mori me vete kudo nëpër botë dhe e ndërkombëtarizoi së bashku me pikturën e tij. Në rubrikën, ‘Portret artisti’ sjellim një nga mjeshtrit më të shquar të pikturës, artistin e njohur edhe jashtë kufijve shqiptarë, Ibrahim Kodrën. Një nga figurat, i cili emrin Shqipëri e bëri të njohur nëpër botë duke pohuar me krenari identitetin e vet. Kodra na dëshmon se artisti i vërtetë, kudo që ndodhet, mund ta mbartë atdheun në zemër. Lindi në Ishëm të Durrësit në vitin 1918 dhe vetëm në moshën 20 vjeçare ai largohet përgjithmonë nga Shqipëria me një bursë studimi nga oborri mbretëror, për të vijuar Akademinë e Arteve të bukura në Romë. Pas një periudhe të caktuar Kodra përfundon në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Kjo dhe ishte koha kur ai nis rrugëtimin e suksesshëm drejt pikturës. Ishte artisti i cili bëri emër në vitet e ’50-ta dhe ’60-ta duke jetuar gjithnjë larg presionit të diktaturës që mbretëronte atëbotë në shtetin shqiptar. Ai u bë legjendë në sytë e shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare ku kultivohej arti i mirëfilltë. Krijimtaria artistike e Kodrës Ajo çfarë piktori i shquar ka lënë pas në pikturë janë rreth gjashtë mijë vepra të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm dy mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Ekspozitat e tij kanë qenë pjesë e vendeve më të rëndësishme në botë, si Roma, Milano, Venecia, Parisi, Nju Jorku etj. Ai arriti të krijojë raporte shumë të mira dhe të vlerësohej nga emra të mëdhenj të artit botëror si Pikaso, Shangall, Matis, Fontana, Guttuso, pastaj me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë si Montale dhe Sereni, Bertoni, Munari, Marotta etj. Ndërkaq ishte viti 2003 që solli Kodrën në Galerinë Kombëtare të Arteve dimensionin real të një artisti. Emri i Ibrahim Kodrës nuk na kujton thjesht piktorin e shquar që u shndërrua në ikonën e pikturës shqiptare në botë, ai është padyshim shembulli më i mirë i artistit, që na bënë të besojmë se asnjë ideal nuk është i pamundur nëse e vëmë jetën në shërbim të tij. Kodra është vlerësuar mjaft herë për arritjet e tij në artin e pikturës dhe për humanizmin që përcjell vepra e tij, por dy nder vlerësimet më të veçanta janë: "Medalja e Arte e Akademisë Franceze 1972" dhe "Nderi i Atdheut"- akorduar nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, në vitin 1996. Ekspozitat personale dhe kolektive ne te cilat piktori Ibrahim Kodra mori pjese, janë të shumta. Por mes tyre mund të përmendim ato ne Galerinë Bergamini të Milanos 1957, në Galerinë C-zanne në Kanë 1958, në Galerinë Senator të Shtutgardit 1959, në Muzeun e Ulma-s 1961, në Galerinë Studio F22 te Palazzolo Sull'Olio 1974, në Binjakëzimin Milano-Frankfurt në Frankfurt e shumë të tjera. Veprat e Ibrahim Kodrës gjenden të ruajtura jo vetëm në Vatikan e në Dhomën e deputeteve në Romë, por edhe në muze, në galeri dhe nëpër koleksione private anembanë botës si, Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë etj. Piktori i madh, Ibrahim Kodra, vdiq në moshën 88-vjeçare, në shtëpinë e tij në Milano të Italisë, në të cilën jetonte prej 30 vjetësh. Mesha e parë në katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë Pikërisht në ditën e 13-vjetorit të vdekjes së humanistes së madhe shqiptare dhe nobelistes sonë Nëna Tereze, në katedralen e përuruar dje në Prishtinë, që mban emrin e saj, sot është mbajtur mesha solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut. Mesha përshpirtërore për Nënën Terezë është udhëhequr nga i dërguari i veçantë i Papa Benediktit XVI, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi. Një fjalë rasti para të pranishmëve e ka mbajtur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kurse në emrë të institucioneve të Kosovës, ka folur kretari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. “Kam kënaqësinë që si përfaqësues i Legjislativit të vendit, të jem i pranishëm në 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, përkujtimi i veprës të së secilës na bashkoi sot në Katedralen që e mban më të drejt emrin e kësaj humanisteje unike të përmasave botërore. Kjo Katedrale, që qëndron madhështore në zemër të kryeqytetit të Kosovës është simbol i fesë katolike, i bashkëjetesës, i humanizimit dhe i tolerancës fetare që e karakterizon kombin tonë që nga lindja e tij. Ky tempull i besimit do të shërbejë si shtëpi e paqes dhe e dashurisë për njëri-tjetrin, si shtëpi e tolerancës ndaj diversitetit, e përkujdesjes për të pambrojturin dhe të vobektin, e paqes dhe e respektit ndaj jetës - reflektim i veprës se Nënë Terezës”, tha kryeparlamentari Krasniqi. Ai pastaj foli për misionin e Nënës Terezë, rrugëtimin e saj për përhapjen e mirësisë, të dashurisë, të paqes, të tolerancës dhe të urtësisë në të gjithë botën, zërin e shpresës dhe të besimit për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për të gjithë. “E shenjtë është Nëna Terezë, po aq i shenjtë është edhe dinjiteti njerëzor që me përkushtim e besim mbrojti ajo”, tha Krasniqi. Në vijim Krasniqi ua përkujtoi të pranishmëve se toleranca fetare, mirësia dhe dashuria ndërmjet njerëzve të komuniteteve të ndryshme fetare, kanë qenë dhe mbeten vlerë e çmuar e kombit shqiptar edhe nga të huajt, pra nga të gjithë ata që tolerancën e kanë vlerë komunikimi e veprimi. Në solemnitetin e organizuar me rastin e meshës së parë në katedralen “Nëna Terezë, ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, krerët fetarë të religjioneve të ndryshme, si dhe ambasadorë e përfaqësues të organizatve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Me një fjalë rasti të pranishmit në meshë i përshëndeti edhe kryetari i bashkësisë së Fesë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava. Kadër Pagarusha hap ekspozitë në Kosovë pas pauzës dydekadëshe “Negociatat” deri në fillimin e bisedës, përmes së cilës ai me shumë modesti shpalos rrugëtimin e tij nëpër botën e rrethuar me ngjyra, paleta, pëlhura e brusha, janë të pashmangshme. Ai prej vitesh me këmbëngulje i është bindur “urdhrit” të piktorit britanik David Hockney: “Mos e dëgjoni piktorin kur flet, e rëndësishme është të shihni veprat e tij”. Piktori kosovar, Kadër Pagarusha, i cili që nga viti 1974 jeton në Bruksel, së fundi ka “zbarkuar” në Kosovë. Arsyeja e vizitës së tij është ftesa nga qendra për art bashkëkohor “Stacion”. Të shtunën në mbrëmje në “Stacion” ai ka hapur ekspozitë personale. Vetëm një autoportret është vepra që ka ekspozuar në kuadër të projektit “Kthimi në të ardhmen”. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Pagarusha (64), ka folur për ekspozitën e parë personale në Kosovë që prej viti 1988 si dhe për sfidat e sukseset që e kanë shënuar karrierën e tij prej piktori. “Piktura e vetme që e kam ekspozuar në ‘Stacion’ është një autoportret, të cilin e kam realizuar në vitin 1990 dhe është ekspozuar në Bruksel. Këtë përzgjedhje e kam bërë për faktin se ka qenë një ndër punimet që më së shumti është pëlqyer”, ka thënë Pagarusha. Teksa shpreh hapur entuziazmin që publiku kosovar do të ketë rastin të shohë pikturën e cila pasqyron gjendjen emocionale të piktorit në një kohë të caktuar, Pagarusha është kthyer prapa në kohë për të zbuluar detaje nga bagazhi i tij artistik. “Prej vitit 1974 kam shkuar për të jetuar në Bruksel, me qëllimin që të kem mundësi t’i përkushtohem pikturës. Fillimi ka qenë i vështirë, por më vonë kam krijuar kontakte dhe pas një kohe më janë hapur dyert”, kujton Pagarusha, teksa shton se prej atëherë ka qenë pjesë e ekspozitave të shumta kolektive në Bruksel, Paris, Atlantë e shumë vende tjera. Megjithëse kishte jetuar larg Kosovës, ky fakt nuk e kishte penguar që pikturat e tij të ishin produkt i inspirimit që merrte nga vendlindja. Por, kur flet për këtë, ai fillimisht ndez një cigare dhe merr frymë thellë. “Ëndërrimet nuk mund t’i privojë askush. E kam ëndërruar Kosovën sikur ta kisha vetëm pak metra larg. Sado që kam qenë larg vendit, pikturat e mia gjithmonë kanë pasur motive nga Kosova”, ka thënë Pagarusha. “Për një kohë të gjatë, në fokus të pikturave të mia kanë qenë shpendët, të cilat i kam sinonimizuar me njeriun, sepse klithma e zogut për mua ka qenë e ngjashme me britmën e njeriut”, ka shtuar ai. Gjatë këtyre viteve Pagarusha asnjëherë nuk ka hequr dorë nga piktura, e cila sipas tij, ka qenë arma e vetme për të shprehur atë që ka ndier përbrenda. Ai supozon se ky ka qenë fakti që audienca belge e ka pranuar mirë. “Është e vetmja gjë që më ka ndihmuar të nxjerr jashtë atë që kam pasur brenda. Publiku belg gjithmonë ka shprehur interesim për pikturat e mia, edhe pse shpesh kanë qenë të rënda dhe një fije optimizmi është vërejtur vetëm në ngjyrat që kam përdorur”, ka thënë ai. Qyteti i Brukselit, përfundimisht, i kishte dhënë mjaft mundësi për të qenë afër asaj që gjithmonë kishte ëndërruar. “Ndërkohë, kam ndjekur edhe një kurs për restaurimin e pikturave dhe kam punuar katër vjet në këtë zanat. Megjithëse ka qenë një punë e vështirë, kam mësuar shumë nga ajo përvojë”, ka thënë Pagarusha. Tani që kanë kaluar dekada të tëra qëkur i është përkushtuar këtij profesioni, ai nuk e ka idenë sesa piktura numëron bagazhi i tij. E vetmja që di është se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ky profesion. “Bashkëjetesa me pikturën ka qenë sa kënaqësi, aq edhe e vështirë. Ka qenë gjithçka, por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja ta lë. Është i vetmi vend ku e gjej veten”, ka thënë ai. Kadër Pagarusha ka lindur në Prizren në vitin 1946. Ai ka kryer shkollën e mesme të artit në Pejë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë – drejtimi i arteve pamore. Që nga viti 1974 jeton dhe punon në Bruksel, ku ka ekspozuar punime në disa galeri dhe ka ndjekur edhe studimet pasdiplomike në Institutin e Arteve të Bukura në Antwerp. Përveç në Bruksel, pikturat e tij janë prezantuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izrael, Angli, Irlandë, Suedi, Francë, Holandë, Japoni dhe Zvicër. Autostrada zbulon gjurmë të lashtësisë afër Prizrenit Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Lutfi Haziri, është zotuar për mbrojtje institucionale të monumentit të parë që është zbuluar javë më parë përgjatë trasesë së autostradës Vërmicë - Merdar, në afërsi të fshatit Poslishtë të Prizrenit. Gjatë vizitës në këtë lokalitet, ku ekspertët e Institutit Arkeologjik pas një ekspedite me karakter shpëtimi kanë zbuluar një termë që besohet se i takon periudhës romake, Haziri ka premtuar rritje të angazhimeve për ruajtjen e thesarit arkeologjik. "Në këtë fazë të punimeve kemi bërë gjetjen e parë, që do të hyjë nën mbrojtjen e shtetit si angazhim yni dhe po ashtu do të ndërtohen ekspedita që do të zhvillojnë punime në të ardhmen sipas një plani të ri dinamik me qëllim të evidentimit dhe mbrojtjes së thesarit tonë arkeologjik", ka thënë ministri Haziri, të enjten. Me këtë rast ai është shprehur mirënjohës për kujdesin e treguar nga kompania e kontraktuar për ndërtimin e autostradës, “Bechtel&Enka", që ka lajmëruar organet gjegjëse dhe ka mundësuar përfshirjen e tyre në hulumtimin e këtij lokaliteti arkeologjik. Zyrtari i lartë qeveritar ka bërë thirrje që ky shembull të ndiqet nga të gjithë ata që ndërmarrin aktivitete ndërtuese në territorin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër përfaqësuesi i Institutit Arkeologjik të Kosovës njëherësh udhëheqësi i ekspeditës së shpëtimit, Shafi Gashi ka theksuar se në trasenë e autostradës Vërmicë - Merdar janë zhvilluar punime të karakterit të shpëtimit, me ç'rast është zbuluar një monument i periudhës romake, gjegjësisht një kompleks i cili ka qenë në shërbim të rrugës Lezhë-Nish. "Bëhet fjalë për një termë të periudhës romake dhe ambientet përcjellëse të saj, që datojnë në fazën e shekullit I dhe II. Shpresojmë që me hulumtimet në vijim të zbulohet i plotë stacioni rrugor, që ekziston në burimet e shkruara, por që nuk është piketuar", ka thënë arkeologu Gashi. Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar përkujdesje më të theksuar nga institucionet shtetërore në mënyrë që ky monument të ngrihet në një atraksion kulturor, i cili do të mund t'i tërhiqte vizitorët për shkak se ndodhet në afërsi të autostradës. Ai ka bërë të ditur se ky lokalitet arkeologjik është pika e parë që është prekur nga ndërtimi i autostradës, ndërkohë që në vijim të trasesë janë evidentuar edhe pika tjera me vlera të veçanta. Tre artistë nga Kosova ekspozojnë në Portugali Prishtinë, 01 shtator - Tre artistë kosovarë janë ata që kanë përfaqësuar fragmente të artit pamor para publikut portugez, në edicionin e pestë të Bienales Ndërkombëtare të Grafikës “Biennal of Douro 2010”. Edicioni i sivjetmë i kësaj bienaleje është homazh për artistin e njohur spanjoll Antonio Tapies, përderisa krahas veprave të tij janë ekspozuar grafika të mbi treqind artistëve nga 74 vende të ndryshme të botës. Ismet Jonuzi, Agim Salihu dhe Valdete Vuçitërna janë ata që janë bërë pjesë e ekspozitës së hapur në kuadër të “Bienal of Douro 2010”. Shkruan sot Koha Ditore. Veprat e tyre për tre muaj do të kenë adresë qytetin portugez Douro. Vetë kuratori, Nuno Canelas, ka qenë ai që i ka bërë ftesë treshes kosovare. “Është hera e parë që marr pjesë në këtë bienale. Janë tri grafika nga cikli ‘Lugina’, të cilat vetë organizatori ka kërkuar që t’ia dërgojë”, ka thënë Jonuzi. E ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin që artistët kosovarë kanë pasur mundësi të prezantohen para publikut portugez. “Mendoj se është shumë me rëndësi të jemi edhe ne si Kosovë prezent paralel me shtetet e tjera dhe kjo ka të bëjë me thyerjen e izolimit shumëvjeçar të Kosovës në manifestime të tilla edhe pse artistët e artit vizual nuk kanë ndenjur asnjëherë duarkryq dhe pasivë sa u përket pjesëmarrjeve të tilla në Evropë”, ka thënë Jonuzi. Duke thënë se “Bienal of Douro 2010” në këtë edicion nuk ka pasur karakter garues, Jonuzi e ka veçuar edhe një detaj tjetër të këtij evenimenti. “Për herë të parë në këtë bienale janë përzgjedhur vepra vetëm për t’u ekspozuar, gjë që është bërë nga organizatorët, të cilët janë bazuar në bienale të tjera ndërkombëtare të vizatimit dhe grafikës në të cilat ne si artistë kosovarë shpeshherë jemi prezentë”, ka thënë ai. Artisti Agim Salihu po ashtu është shprehur mjaft i kënaqur që ka pasur rastin të jetë pjesë e një bienaleje të tillë, në të cilën ai ka ekspozuar dy grafika. “Është hera e parë që punimet e mia po prezantohen në Portugali”, ka thënë ai. “E veçanta e kësaj bienaleje ka qenë që i është dedikuar një artisti të madh, siç është Antonio Tapies”. Dy vepra nga cikli “Demat e kaltër” janë ato që ka ekspozuar Salihu. Në kuadër të “Bienal of Douro” është botuar edhe katalogu i “përthekuar” në 355 faqe, në të cilin janë përfshirë punimet e të gjithë artistëve pjesëmarrës. Prej tyre 55 i janë dedikuar artistit të njohur spanjoll me përmasa botërore, Antonio Tapies. Ekspozita e hapur në kuadër të bienales, e cila do të jetë në dispozicion të artdashësve deri në muajin nëntor, do të ketë edhe karakter shitës. Një marsh për Nënën Terezë filloi nga Mitrovica Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Terezë, ka filluar të mërkurën një marsh nga Mitrovica për të vazhduar në disa qendra tjera të Kosovës. “Në përvjetorin e 100-të të lindjes së Nënës Terezë jo rastësisht zgjodhëm qytetin e Mitrovicës për ta vizituar të parin, sepse Mitrovica njihet si qytet i diellit prej kohës ilire”, tha Frrok Kristaj, para shtatores së saj, ku delegacioni i PSHDK-së vuri kurora lulesh. Për figurën, jetën dhe veprën e Nënës Terezë foli kryetari i kësaj partie, Marjan Demaj, i cili mes tjerash citoi edhe fjalët e ish-presidentit të SHBA-së Bill Clinton të thëna për humanisten shqiptare se, “Nëna Terezë ishte e para ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndjehem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave universale të lirisë”. Demaj e vlerësoi Nënën Terezë si ikonë e kohëve moderne, simbol i besimit dhe përtëritjes shpirtërore të njeriut, me legjendarizimin e së cilës, siç tha ai, kapet edhe imazhi i Rozafës. Marshi i PSHDK-së do të vazhdojë gjatë ditës edhe në qendra tjera të Kosovës, si Klinë, Novasellë, Gjakovë, Zym dhe në fund në Prishtinë. Presidenti Sejdiu i dorëzoi Nexhmije Pagarushës çmimin “Artiste e Merituar” Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dorëzoi sot zonjës Nexhmije Pagarusha çmimin “Artiste e Merituar”, me të cilën e ka dekoruar kohë më parë. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu tha se dekorimi i zonjës Pagarusha është një vlerësim për veprën kulminante në fushën e artit, në fushën e muzikës shqiptare dhe në fushën e një artisteje, e cila diti në mënyrën më të mirë të jetë shprehje e identitetit dhe e vlerave të një populli, në këtë rast e muzikës shqiptare, në gjithë repertorin e saj të begatë dhe të pafund. “Ka këngë të Nexhmijes që rrallëkush ia mësynë t’i interpretojë për shkak të ritmit dhe fuqisë që kjo i ka dhënë këngës”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke e vlerësuar veprën e saj si visar dhe krenari në gjithë opusin e përmbledhur aq mirë. Ndërkaq, zonja Pagarusha duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për vlerësimin e veprës së saj, tha se ndjehet shumë e lumtur dhe shprehu besimin se edhe artistët e tjerë, të cilët e meritojnë, do të jenë të vlerësuar në të ardhmen. Bekim Fehmiu në Durrës nderohet me çmimin e karrierës Në amfiteatrin e lashtë romak, në qytetin bregdetar të Durrësit, mbrëmjen e së dielës ka nisur edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit. Nata e parë e këtij festivali është rezervuar për të ndarë katër çmime për karrierë, të cilat këtë vit ndër të tjerë i ka takuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiu. Çmim për karrierë kanë marrë edhe Dhimitër Xhuvani, Agim Qirjaqi dhe Tinka Kurti. Aktori Enver Petrovci ka qenë ai që është ngjitur në skenën e këtij festivali për të pranuar çmimin për mikun e tij, aktorin Bekim Fehmiu. Me këtë ka nisur gara për “Gladiatorin e artë”, në të cilin konkurrojnë 26 filma nga mbarë bota. Në kategorinë “Vizione bashkëkohore”, juria qendrore, së cilës i prin regjisori kosovar, Isë Qosja, do të vendosë edhe për regjisorin më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe çmimin e kritikës. Drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi, ka thënë se mbrëmja e së dielës, amfiteatrit të lashtë romak ia ka prishur qetësinë, nga e cila karakterizohet pothuajse gjatë tërë vitit. “Një natë magjike ku do të garojnë filmat dhe ku janë bërë bashkë kaq shumë njerëz të filmit, që bashkojnë ëndrrat e tyre për të krijuar të bukurën”, ka thënë Varfi. Në një tjetër kategori, të titulluar “Botë ballkanike”, do të shfaqen në garë 12 filma nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë. Çmimet që do të ndahen për këtë kategori janë “Filmi më i mirë i Ballkanit”, si dhe “Filmi më i mirë i audiencës”, për të cilin do të vendosë një juri e formuar nga dhjetë kinemadashës. Mirëpo, festivali i Durrësit nuk do të ketë hapësirë vetëm për regjisorët e sprovuar. Për këtë arsye si pjesë e veçantë e këtij edicioni është konkurrenca për filmat e studentëve. “Me këtë kemi dashur të krijojmë hapësirë për talentet e reja, për të promovuar ata”, ka thënë Varfi. Tridhjetë filma të akademive të filmit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë pjesë e kësaj konkurrence. Në garë në këtë kategori janë edhe 4 filma të shkurtër nga Kosova, ndërkaq regjisori kosovar, Ismet Sijarina, njëri nga tre anëtarët e jurisë së kësaj kategorie, filmat e së cilës paraprakisht do të vlerësohen edhe nga vetë filmbërësit e kësaj kategorie. Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqen dhe tetë filma artistikë francezë jashtë konkurrimit në seksionin “Takimet e ngushta”, si dhe disa dokumentarë në seksionin “Dokumentari internacional”. Filmat “Made in Kosova” do të shfaqen në Shqipëri Fiks 35 filma artistikë, dokumentarë, vizatimorë dhe të metrazhit të shkurtër, të xhiruar nga “Kosovafilmi”, mund t’i servohen publikut shqiptar në Tiranë. Kjo sipas drejtorit të “Kosovafilmit”, Gani Mehmetaj, mendohet të bëhet duke filluar nga muaji tetor, përmes një bashkëpunimi me Arkivin Shtetëror të Filmit në Tiranë. “Kohë më parë Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë filloi shfaqjen e filmave nga produksioni origjinal dhe ai i importuar. Ne jemi të gatshëm që filmat e ‘Kosovafilmit’ t’ia ofrojmë publikut shqiptar”, ka thënë Mehemtaj. Ai madje ka bërë edhe një përzgjedhje të filmave të cilët do të fillonin të shfaqeshin menjëherë. “Do të ishte mirë që të fillonim me shfaqjen e gjashtë filmave artistikë, të cilët publiku i Tiranës ka interes t’i shohë. Këta filma si “Era dhe Lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Gjurmë të Bardha”, “Lepuri me pesë këmbë” , “Proka” dhe “Njeriu prej dheut”, janë prodhime të cilat janë shumë të arrira në kinematografinë kosovare si për historitë ashtu edhe për gamën e aktorëve të cilët i kanë brenda filmave”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, arsyeja pse Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë duhet t’i shfaqë kryekëput filmat e “Kosovafilmit” është se kinematografia shqiptare në Kosovë është e lidhur kryekëput me këtë institucion. “Janë dy faza të prodhimit të ‘Kosovafilmit’: koha e filmave të përbashkët me ish-republikat jugosllave dhe koha e prodhimtarisë së pavarur të ‘Kosovafilmit’. Në periudhën e dytë u bënë filmat më të mirë që patën sukses edhe në festivale ndërkombëtare në atë kohë”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij edhe “Kosovafilmi” i ka shfaqur filmat e kinostudios “Shqipëria e Re” dhe ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më shumë. Kohë më parë Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë filloi shfaqjen e filmave nga produksioni origjinal dhe i importuar, që sipas Mehmetajt është praktikë në të gjitha kryeqytetet e Evropës. Ndërsa “Kosovafilmi” është themeluar në shkurt të vitit 1968 me vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës. ARTISTET KOSOVAR Ëndrra e Genta Ismailit! Edhe ata që i kanë të gjitha, ëndërrojnë. Listës së ëndërrimtarëve i bashkohet edhe këngëtarja Genta Ismaili. Ndonëse ka jetuar për vite me radhë në Amerikë, mundësia për të qenë e pranishme me muzikën e saj atje duket se është e pakët. Disa shpresa të vaktë i jepeshin kohë pas kohe, por asgjë konkrete. Këngëtarja ka deklaruar se po tenton edhe më tej që produksionet e saj t’i lançojë në tregun ndërkombëtar. Toka e ëndrrave duket se nuk është edhe toka e mundësive të mëdha për sukses. Pritet që shumë shpejt këngëtarja të hedhë në treg disa këngë te reja të cilat do të jenë të destinuara për tregun ndërkombëtar, për këtë qëllim ato po punohen edhe në gjuhën angleze. Hakiu tani edhe aktor?! Pas përfundimit të Big Brother, jeta e Hakiut lëvizte mes Tiranës dhe Prishtinës, kjo ishte arsyeja që ai ishte më afër propozimeve për të qenë pjesë e projekteve televizive. Flitet se ai do të jetë protagonist në një film, i cili do të nisë së afërmi xhirimet, ku do të ketë një rol të dorës së dytë, por gjithsesi ky propozim është i mbarë, e të mendosh që fati i mbarë erdhi pas Big Brother. Edhe pse nuk jepen ende detaje për rolin e filmit, ku ai do të marrë pjesë, konfirmohet zyrtarisht se ai e ka pranuar propozimin. Por, lajmet e mira për Hakiun vazhdojnë edhe më tej. Pritet që ai të jetë pjesë e një spektakli televiziv që do të organizohet nga Top Channel. Nora, s’ka ndërmend të martohet Nora Istrefi ka premtuar edhe një videoklip të ri muajin e ardhshëm, sapo të shijojë ca kohë pushim nga vera e ngjeshur. “Momentalisht jam duke pushuar, por besoj se pas një muaji do të lansoj edhe një video-klip të ri”, ka thënë Nora për media. Këngëtarja kosovare, e cila javë më parë realizoi videoklipin në bashkëpunim me hip-hop grupin TDS, është shprehur se është shumë e kënaqur me suksesin e këngës. “Bashkëpunimi me grupin ‘TDS’ ka rrjedhur shumë natyrshëm. Ndërsa sa i përket martesës, Nora ka thënë se njëherë përnjëherë nuk ka asnjë plan, por sigurisht se në të ardhmen e afërt ajo do ta kurorëzojë fejesën e saj me Robertin edhe me martesë. Rikthimi i Elita 5 Edhe pse janë një ndër grupet më të vjetra muzikore, Elita 5 vazhdon ende të sjellë me sukses këngë dhe albume të reja. Ata pritet të shfaqen sërish në publik dhe këtë premtim e ka dhënë pikërisht lideri i grupit, Arif Ziberi. Ai thotë se jemi duke punuar për albumin më të ri të grupit i cili do të dal së shpejti. Adelina Ismajli duet me Tingulli-3nt Tingulli 3nt duet me Adelina Ismailin, pasi ka lansuar disa duete kohëve të fundit, të cilat po kanë shumë sukses si duket Tingulli 3nt nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ata tashmë kanë vendosur në duetin e radhës me këngëtaren e mirënjohur Adelina Ismailin. Pas publikimit të albumit të Tingullit 3nt i cili pritet të dal në treg këtë muaj, i kontaktuar përmes telefonit Getoar Selimi anëtarë i grupit tha, “Kemi pas shumë duete këtë verë, dhe jemi shumë të kënaqur, kemi menduar për duetin i cili do të jete krejt ndryshe me Adelina Ismailin, jemi duke bashkëpunuar që kënga të del siç është mas miri” përfundon Geti. Parfumi i Tunës Këngëtarja Altuna Sejdiu e pyetur se çfarë parfumi përdorë ajo pohon se, “Nuk jam e fiksuar pas një parfumi, herë pas here i ndryshoj, sepse çdo parfum më kujton ndonjë periudhë të caktuar kohore. Për momentin, përdor “Diamonds” nga Armani, në kombinim me qumështin për trup . SPORT Tri gola për tri pikë të reja Në këtë takim mjaft cilësorë, Besa-Trepça ’89, gjyqtari kryesor i takimit, Përparim Hasani nga Prishtina për ndërhyrje të palejueshme ndau pesë kartonë të verdhë. Futbollistët e Besës së Pejës shënuan edhe fitoren e tretë më radhë në fushën e vet. Ata pas një loje shumë më të mirë së minatorët shënuan fitore me rezultat 3:0. Minutat e parë të takimit i takuan futbollistëve mysafir. Por, kjo zgjati shumë shkurtër. Në minutën e 11-të portën e mysafirëve e shpëtoi shtylla horizontale e goditjes së Krenar Vokshit. Gëzimi i parë për futbollistët vendës dhe për tifozët pejanë erdhi në minutën e 27-të , kur Fitim Kasapi nga afërsia shënoi golin e epërsisë për pejanët. Atë nga korneri e kishte shërbyer Duraku mjaft agil, në këtë takim. Mysafirët gjatë kësaj periudhe të ndeshjes patën një gjysmë rasti në minutën 28-të, por Ademi dështoi në përpjekjen e tij. Pjesëloja e dytë shënoi një ngritje si në lojë, ashtu edhe në shënimin e golave. Dominimi i futbollistëve pejanë rezultoi më golin e dytë të Kasapit në minutën e 67-të. Ishe një kombinim i bukur brenda zonës së mysafirëve midis Durakut dhe Kasapit pa dyshim lojtarit më të mirë në këtë takim, i cili kaloi edhe portierin minatorëve Manxhollin, duke ngritur rezultatin në 2:0. Pejanët nuk i ndalën sulmet për asnjë moment, dhe sikur të ishin më të vëmendshëm reparti sulmues rezultati ka mundur të jetë edhe shumë më i favorshëm për ta. Edhe në këtë pjesë lojë sikurse në 45 minutat e parë, mysafirët nga Mitrovica patën vetëm një rast, kur kombinimi ndërmjet Zuqakut dhe Ademit nuk solli ndërrim të rezultatit. Goli i tretë i Besës u arrit në minutën e 85-të, kur Duraku pas që u shërbye bukur nga Salihu dhe gabimit fatal të portierit Manxholli i cili boshatisi portën ngriti rezultatin në 3:0 për pejanët të cilët në tri takimet deritashme të zhvilluar para shikuesve të vet shënuan 8 gola që është efikasitet i lartë i sulmuesve të Besës. Në këtë takim mjaft cilësor gjyqtari kryesor i takimit, Përparim Hasani nga Prishtina për ndërhyrje të palejueshme ndau pesë kartona të verdhë. Si do që të jetë afër 1500 shikues sa ishin tubuar në stadiumin e qytetit “Shahin Haxhiislami’ u ndanë të kënaqur si me rezultat ashtu edhe më lojë të të zgjedhurve të trajnerit Valdet Shoshi. Loja e mysafirëve në këtë ndeshje pati shumë dobësi, si në sulm e veçmas reparti i mbrojtës pati dështim total B O X 1 Besa –Trepça ‘89 3:0 ( 1:0) Stadiumi “Shahin Haxhiislami”, Pejë. Shikues: 1500. Gjyqtarë: P. Hasani, A. Rexhepi, J. Musolli. Shënues: Kasapi (27’ e 67’) e Duraku (86’). KV: Krasniqi, Demaj, Miftaraj, Salihu (BE), Misini (TR). Besa: Bytyçi, Krasniqi, Demaj, Miftaraj (Salihu), Bajraktari, Papuqi (Zharra), Duraku, Hysenlekaj, Kasapi, Zeka dhe Vokshi. Trepça ’89: Manxholli, Misini, Idrizi, Ademi, Ambe, Shabani (Peci), Berisha, Miftari, Sokoli (Ragipoviq), Hyseni (Zuqaku) dhe Zabërxha. Flamurtari specialist për barazime Flamurtari i Prishtinës është treguar specialist për barazime. Ata si udhëtues morën një pikë të rëndësishme në takim me kampionin në fuqi, Trepçën. Ballafaqimi mes këtyre rivalëve ka qenë i plogësht me një epërsi të lehtë të skuadrës kampione, por assesi të realizojë edhe rastet. Trepça në fund të ndeshjes krijojë dy raste të mira nëpërmjet Shabanit në minutën e 80-të dhe Osmanit në minutën e 87-të, por pa sukses. Pas ndeshjes, trajneri i Trepçës Gani Sejdiu, mes të tjera tha: “Flamurtari me meritë fitoi një pikë. Patëm një paraqitje të dobët që nuk do koment". Ndërkaq, trajneri i Flamurtarit Jusuf Tortoshi ndër të tjera tha: “Sikur ne edhe Trepça është në krizë të lojës. Me meritë arkëtuam një pikë. Në pjesën e parë patëm raste nuk i realizuam në vazhdim u përqendruam në mbrojtje dhe barazimi është epilog real". Trepça - Flamurtari 0:0 (0:0) Stadiumi: "Adem Jashari" Shikues: 1000 Gjyqtarë: B. Fejzullahu, A. Peshteri, E. Zeqiri KV: Sh. Fetahu, Zhjeqi – F. Humolli (2), Jashari, Livoreka KK: F. Humolli Trepça: Prtinac, Shabani, Ahmeti (Shkupolli), Zhjeqi, Llapashtica, Sh. Fetahu, Sermaxhaj, Prekazi (Baliqi), F. Sejdiu, E. Fetahu (I. Sejdiu) Osmani Flamurtari: Fejza, Kida, Rama (F. Humolli), M. Humolli, Ukzmajljaj, Gashi (Bellopoja), Marnikaj (P. Osmani), Bajgora, Livoreka, Jashari, Hasani. Rogova rikthehet me dy gola Vëllaznimi përmes Rogovës që për katër minuta shënoi dy golat vendimtar për fitoren e parë të ekipit të tij të dielën në Gjakovë ka entuziazmuar adhuruesit e tyre, përderisa drenicasit ndonëse të motivuar për të shfrytëzuar dobësitë aktuale të Vëllaznimit janë rikthyer të zhgënjyer. Udhëtimin në Gjakovë për rezultat të favorshëm e potencoi pas takimit edhe vet njëshi i bankinës drenicas, Tahir Lushtaku i cili deklaroi se kishin ardhur të shfrytëzojnë krizën e Vëllaznimit dhe të kthehen me rezultat pozitiv, porse, po sipas tij, futbollistët e tij ishin ata që ia falën me gabime amatoreske në mbrojtje fitoren Vëllaznimit ndërkohë që Lushtaku shtoi se nuk kishin shfrytëzuar sulmet në pjesën e parë. Ndryshe nga bankina drenicasve, kryetraineri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli tha se Vëllaznimi arriti fitore shumë të vlefshme dhe meritore ku për dallim nga pjesa e parë në të dytën ishin dukshëm më të mirë. Shosholli përbërjen e ekipit me katër deri në pesë juniorë e vlerëson si të frytshëm. Për Dardan Rogovën kjo fitore ka edhe rëndësi tjetër të posaçme pasi është loja e parë në këtë stinor pasi lëndimi e kishte lënë jashtë fushe deri më tani. Bile, Rogova pos dy golave të shpejtë ka mundur që në brendi të periudhës katërminutëshe të jetë realizator edhe i dy rasteve tjera, në minutat 56 dhe 58. Por i kanë mjaftuar minutat 55’ dhe 59’ ku duke shfrytëzuar asistimin e golit të parë nga Hashani ka shënuar me kokë golin e epërsisë së parë ndërsa në të dytin e ka shfrytëzuar asistimin e Gojanit. Vëllaznimi-Drenica 2:0 (0:0) Stadiumi i qytetit në Gjakovë. Shikues: 2000. Gjyqtarë: M. Ferati, A. Gashi, L. Cena. Shënues: Rogova (55’, 59’). KV: Rogova, Krasniqi, Gashi (Vëll), Gashi, Syla (Dre). Vëllaznimi: Xharavina, Jasiqi, Kabashi, Krasniqi, Tetrica, Kameri, Gashi, Yll Myrta, Juniku (Gojani), Rogova (Dobroshi), Hashani (Nikoliqi). Drenica: Shosholli, Hajdari, Lushtaku (Behrami), Geci, Syla, Gashi, Dragusha, Bajraktari, Limani, Ramizi (Tahiraj), Demiraj (Feriz Bajraktari). Superliga-java e pestë Liria- Prishtina 2:3 KEK-u- Ferizaj 3:1 Besa- Trepça ‘89 3:0 Vėllaznimi – Drenica 2:0 Trepça-Flamurtari 0:0 Hysi-Ballkani 1:1 Tabela 1. Prishtina 5 4 0 1 9:7 12 2. KEK-u 5 3 1 1 5:2 10 3. Besa 5 3 0 2 8:5 9 4. Ballkani 5 2 2 1 5:4 8 5. Hysi 5 2 1 2 9:4 7 6. Liria 5 2 1 2 10:11 7 7. Trepça ’89 5 2 1 2 2:4 7 8. Trepça 5 1 2 2 4:5 5 9. Ferizaj 5 1 2 2 5:7 5 10. Flamurtari 5 0 4 1 4:5 4 11. Vëllaznimi 5 1 1 3 7:9 4 12. Drenica 5 1 1 3 3:7 4 Në javën e gjashtë, takohen: Trepça-KEK-u, Ferizaj- Hysi, Ballkani-Besa, Trepça '89-Vëllaznimi, Drenica-Liria dhe Flamurtari-Prishtina. Liga e parë – java e tretë Feronikeli-Llapi 1:0 Ramiz Sadiku-Drita 0:0 Rahoveci-Sharri 2:1 Besiana-Istogu 2:0 2 Korriku-Studençani 3:0 Kaolini-Lepenci 2:0 Kosova (V)-Dukagjini 4:0 Gjilani-Ulpiana 4:1 Tabela 1. Rahoveci 3 2 1 0 5:3 7 2. Kosova (V) 3 2 0 1 7:2 6 3. 2 Korrriku 3 2 0 1 6:1 6 4. Istogu 3 2 0 1 8:5 6 5. Besiana 3 2 0 1 3:2 6 6. Lepenci 3 2 0 1 2:2 6 7. Drita 3 1 2 0 2:1 5 8. Gjilani 3 1 1 1 4:2 4 9. Studençani 3 1 1 1 1:3 4 10. Llapi 3 1 1 1 1:1 4 11. Sharri 3 1 0 2 4:4 3 12. Ferronikeli 3 1 0 2 1:2 3 13. Ulpiana 3 1 0 2 3:7 3 14. R. Sadiku 3 0 2 1 0:1 2 15. Dukagjini 3 0 0 3 1:7 0 16. Kaolini 3 1 0 2 4:9 3 Në javën e katërt, takohen: Istogu-Lepenci, Studençani-Kaolini, Llapi-2 Korriku, Ulpiana-Feronikeli, Drita-Gjilani, Dukagjini-Ramiz Sadiku, Sharri-Kosova (V) dhe Besiana-Rahoveci. Liga e dytë (grupi A), java e parë Artakolli-Drini i Bardhë 14:0 F. Kosova-Baksi 7:0 Mushtishti-Prizrenspor 5:0 Behari-Deçani 0:0 Luftëtari-Ardhmëria 3:2 Dardania-Arbneshët 0:1 Aeroporti-Hasi 3:1 Liga e dytë (grupi B), java e parë Bashkimi-18 Korriku 7:2 Kamenica-Hajvalia 0:1 Vull. i UÇK-së – Lypeteni 7:0. Vllaznia-Besëlidhja 2:0 Hajvalia 1947 - Vitia 2:1 Vigani- Rilindja 2:1 Tefik Çanga-Kosova (P) 4:0





